18 prill, 2022- Tani kur jemi në fazën përfundimtare të garave të edicionit 2021/22 dhe në periudhën kur do të përcaktohen klubet që do ta përfaqësojnë vendin tonë në garat evropiane, konfirmohet edhe një lajm i mirë për futbollin tonë.

Siç u pa edhe në ranglistën e fundit të UEFA-s, për renditjen e ligave kombëtare, Superliga e Kosovës ka shënuar përparimin e radhës, e në bazë të këtij progresi është konfirmuar lajmi, të cilin FFK-ja e ka dhënë edhe para fillimit të garave, se nga ky edicion, Kosova do të përfaqësohet me 4 klube në garat evropiane, 3 nga kampionati dhe fituesi i kupës.

Mirëpo, risia tjetër është se si rezultat i ngritjes së rangimit të ligës, kampioni i Kosovës nga ky edicion nuk do të garojë më në rundin parakualifikues, por do të shkojë direkt në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Përparimi i ligës, përfaqësimi me më shumë klube në garat evropiane dhe rritja e cilësisë në kuadër të garimit të brendshëm, është një tjetër deshmi se futbolli i Kosovës po shënon rritje në çdo aspekt, e që është edhe mision kryesor i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Presidentit Agim Ademi.