12 shtator, 2023 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje nga Rumania, me rezultat 2:0, në ndeshjen e zhvilluar në “Arena Nationala” në Bukuresht, e që zgjati rreth tri orë. Në fakt, shkak për këtë u bë tifozeria vendase e cila provokoi rëndë ekipin dardan në minutën e 18-të, duke shfaqur transparentin “Kosova është Serbi”. Si rrjedhojë ndeshja nuk ka rinisur për plot 50 minuta. Pas rinisjes loja nuk shkoi mirë për Dardanët, ngase në minutën e 42-të Vedat Muriqi u përjashtua nga loja për shkak të kartonit të dytë të verdhë. Përkundër faktit që luajti me një lojtar më pak ekipi ynë rezistoi sulmeve të vazhdueshme të vendasve deri në minutën e 83-të. Madje, në minutën e 59-të Arijanet Muriç arriti të mbrojë penalltinë e goditur nga Nicolae Stanciu. Mirëpo, rumunët edhe pas këtij rasti vazhduan me ngulm drejt portës tonë, duke shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë dhe në minutën e 83-të arritën të zhbllokojnë shifrat, me golin e shënuar nga Stanciu. Pas këtij goli Dardanët u vërsulën në sulm në kërkim të golit të barazimit. NJë mundësi tejet të mirë e pati Florian Loshaj, por gjuajtjen e tij e priti portieri vendas. E në kohën shtesë rumunët shënuan sërish përmes Valentin Mihaila, duke vendosur rezultatin përfundimtar, 2:0. Tani Rumania ka 12 pikë, kurse Kosova mbetet me 4 pikë në renditje.