11 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në ndeshjen kundër Turqisë, me rezultat 1:4, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”. Të përzgjedhurit e Albert Bunjakut pësuan gol pas 6 minutash lojë, kur Volkan Sen shënoi me gjuajtje me kokë nga afërsia. Kosova arriti të barazojë shifrat në minutën e 22-të, kur mbrojtësi Amir Rrahmani shënoi me kokë pas harkimit të Valon Berishës nga këndorja. Megjithatë, turqit reaguan shumë shpejtë dhe në minutën e 31-të e rikthyen epërsinë me një tjetër gol të shënuar me kokë, kësaj radhe nga Cengiz Under. Edhe në pjesën e dytë turqit u treguan më efikas, duke shënuar dy gola tjerë kur fillimisht Burak Yilmaz shënoi në minutën e 61-të për 3:1 dhe më pas Ozan Tufan, në minutën e 82-të vendosi rezultatin përfundimtar, 4:1. Kosova e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Bernard Berisha u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë në minutën e 84-t. Kësisoj, Kombëtarja e Kosovës mbetet me një pikë pas gjashtë ndeshjeve në Grupin I.
Ndërkohë, para ndeshjes për dallim nga herave tjera, kësaj radhe darka e përbashkët ndërmjet krerëve të dy federatave u organizua në ambientet e stadiumit “Loro Boriqi”, ku në fund u shkëmbyen edhe dhurata si dhe u bisedua për bashkëpunimin e të dyja federatave.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Albert Bunjaku në konferencë për media u shpreh: “E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, Turqia ka një skadër të madhe. Për herë të parë kemi lujatur me sistemin 5-4-1 me pesë mbrojtës por morëm gol herët. Ne arritëm të kthehemi me golin e Rrahmanit, por nuk ishte e mjaftueshme. Patëm edhe disa raste, por kjo nuk e zbeh fitoren e Turqisë të cilës i uroj fitoren dhe shumë fat në vazhdim.