24 shtator, 2022 – Kombëtarja e Kosovës ka pësuar humbje në Belfast në përballje me Irlandën e Veriut, me rezultat 2:1, në ndeshjen e parafundit të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Windsor Park”, teksa loja ishte mjaft interesante dhe me raste të shumta shënimi nga të dyja ekipet. Në 45 minutat e parë nuk pati gola, teksa në pjesën e dytë Kosova arriti ta zhbllokojë rezultatin në minutën e 58-të, kur Vedat Muriqi, shënoi gol nga distanca, duke gëzuar qindra bashkëatdhetarë tanë të cilët ishin në stadium. Edhe pas këtij goli, Dardanët patën disa mundësi tjera, por nuk i konkretizuan. Në anën tjetër, në minutat e fundit Irlanda e Veriut e shtoi presionin drejt portës së Arijanet Muricit dhe arriti që ta përmbysë rezultatin me golat e Gavin Whyte, në minutën e 82-të dhe Josh Magennis, me gjuajtje me kokë, në minutën e tretë të kohës shtesë. Ndeshjen përmbyllëse të këtij cikli Kosova e zhvillon të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku e pret Qipron e vendit të fundit.