12 nëntor, 2016 – Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje në Antalya kundër Turqisë, me rezultat 2:0, në ndeshjen e katërt në kuadër të Grupit I për kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”. Kosova në këtë ndeshje pati një paraqitje shumë të mirë, derisa në formë të jashtëzakonshme ishte edhe portieri Samir Ujkani, i cili arriti ta ruajë portën e tij të paprekur në 45 minutat e para me disa pritje të shkëlqyeshme. Madje, në fund të pjesës së parë djelmoshave tanë vetëm fati ua mohoi golin, kur Valon Berisha qëlloi shtyllën pas një aksioni fantastik. Megjithatë, pjesën e dytë turqit e nisën furishëm dhe brenda katër minutave shënuan dy gola, duke shfrytëzuar shpërqendrimin e lojtarëve tanë nëpërmjet Burak Yilmaz (51’) dhe Volkan Sen (55’). Pas këtyre dy golave Kosova bëri përpjekje për t’u rikthyer në rezultat, por nuk e pati freskinë për të bërë një gjë të tillë, megjithëse pati disa mundësi. Ndërkohë, atmosfera në tribuna ishte e shkëlqyeshme, si nga tifozët turq, e po ashtu edhe nga tifozët kosovarë “Dardanët”, ku ishin të shpeshta edhe brohoritjet e përbashkëta “Turkiye, Kosova”.
Turqia: Volkan Babaacan; Gokhan Gonul, Mehmet Topal, Ahmet Calik, Hasan Alikaldirim, Selcuk Inan, Oguzhan Ozyakup, Calhanoglu, Arda Turan, Volkan Sen, Burak Yilmaz.
Kosova: Ujkani, Përdedaj, Pnishi, Alushi, Rashica, Shala, Rrahmani, V. Berisha, Zeneli, Muriqi, Kololli.