29 mars, 2022 – Kosova U17 në konkurrencën e vajzave nuk i ka rezistuar Sllovenisë U17. Dardanet janë mposhtur me rezultat 1:3 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në ndeshjen e fundit të rrethit elitar të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Pjesa e parë përfundoi në favor të vajzave kosovare, pasi golin e gjetën nga penalltia në minutën e 38-të me ç’rast shënoi Rreze Gashi. Dardanet nuk arritën ta ruajnë epërsinë pasi qysh në fillim të pjesës së dytë rezultatin e barazoi Tija Karic Sostaric në minutën e 50-të. Ndonëse të dy skuadrat kërkonin epërsinë, Sllovenia u tregua më e shkathtë, duke kaluar në avantazh në minutën e 75-të me golin e realizuar nga Masa Osojnik. Për ta thelluar edhe më shumë rezultatin sllovenet u komponuan maksimalisht, derisa  Zara Kramzar e shënojë edhe golin e tretë pesë minuta para fundit zyrtar të ndeshjes.

Me këtë rast Kosova U17 ka përfunduar e fundit pa pikë në grupin e 5-të.

Kësisoj, FFK e përmbylli me sukses organizimin e ndeshjeve të këtij grupi, që për herë të parë në nivel kombëtaresh iu besua nga UEFA.