18 dhjetor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U19 ka barazuar 3:3 në miqësoren e dytë kundër Maqedonisë së Veriut U20, që u zhvillua sot në qendrën stërvitore të FFMV-së në Shkup. Për dallim nga ndeshja e parë, kjo e sotmja ishte shumë më interesante dhe prodhoi shumë raste e gola. Ndonëse futbollistët e Maqedonisë së Veriut ishin gjeneratë më e madhe, kjo në lojën e sotme nuk u vërejt aspak, ngase djelmoshat e Ramiz Krasniqit treguan lojë shumë të mirë dhe madje ishin shumë afër fitores. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Trpcevskit. Megjithatë, pjesën e dytë Dardanët e rinj e nisën në mënyrë të shkëlqyeshme duke përmbysur rezultatin me tre gola radhazi në periudhën nga minuta e 57-të deri në të 72-tën. Fillimisht shifrat i barazoi Orges Sjarina, më pas Andi Kadriu shënoi për 2:1, derisa Orges Sjarina çoi shifrat në 3:1, me golin e tij të dytë. Mirëpo, Maqedonia e Veriut iu shmang humbjes me golat e shënuar nga Krstevski nga penalltia (74′)dhe Todorovskit (78′). Të rikujtojmë se ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve përfundoi me fitoren minimale të vendasve, 1:0.