3 qershor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës U19 e ka humbur miqësoren e parë kundër Kombëtares së Shqipërisë U19, që u zhvillua, sot, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Kuqezinjtë e drejtuar nga Nevil Dede kanë fituar 3:1 në përballjen me Dardanët e Ramiz Krasniqit. Kosova kaloi e para në epërsi, me golin e Albin Prapashticës, në minutën e 33-të. Megjithatë, Shqipëria arriti t’i barazojë shifrat me golin e Ernest Muçit për ta çuar ndeshjen në pushim me rezultatin 1:1. Ndërkohë, në pjesën e dytë ishin futbollistët e Shqipërisë që u treguan më efikas në rastet e krijuara, duke shënuar edhe dy herë tjera nëpërmjet Ernest Muçit, në minutën e 69-të dhe Armando Brojas në minutën e 80-të, duke regjistruar fitore në këtë miqësore, e cila të dyja ekipeve kombëtare u shërben për t’u përgatitur për kualifikimet e Kampionatit Evropian. Ndeshjen e dytë miqësore këto dy ekipe do ta zhvillojnë më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.