25 mars, 2022 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka barazuar në duel me Slloveninë U21, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2023. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka përfunduar pa gola, 0:0. Në pjesën e parë u vërejt dominim i sllovenëve, teksa Dardanët e rinj të drejtuar nga Albert Bunjaki u shfaqën mjaft kompakt në repartin e mbrojtjes, duke mos lejuar shumë hapësira, teksa krijuan edhe dy mundësi të mira shënimi në fund të 45 minutave të parë. Ndërkohë, në pjesën e dytë të përzgjedhurit e Bunjakit patën paraqitje shumë më të mirë, duke atakuar disa herë portën sllovene, teksa iu mohua edhe një penallti e pastër pas lojës me dorë të një mbrojtësi mysafir. Pas këtij barazimi Kosova mbetet në pozitën e pestë në Grupin G, me 7 pikë, derisa Sllovenia është në pozitën e katërt me 9 pikë. Këto dy ekipe do të ballafaqohen sërish të martën, por kësaj radhe në Celje.