29 mars, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka barazuar në miqësoren e dytë kundër Kombëtares Olimpike të Katarit U23, me rezultat 2:2. Tre ditë pas humbjes në ndeshjen e parë (2:0), Dardanët e rinj kanë treguar lojë dukshëm më të mirë në ndeshjen e dytë, madje duke krijuar epërsi prej dy golash, por të cilën nuk arritën ta ruajnë deri në fund të takimit. Pjesa e parë kaloi në mbizotërim të futbollistëve tanë, të cilët arritën ta zhbllokojnë rezultatin në minutën e 6-të, me golin e Veton Tushës. Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte me fat për Dardanët e rinj, të cilët e shtuan epërsinë me golin e Valmir Veliut, pas katër minutash lojë. Megjithatë, në 15 minutat e fundit vendasit falë edhe përvojës më të madhe arritën ta shkrijnë epërsinë e Dardanëve, me golat e shënuar nga Hashim Ali dhe Mustafa Meshaal.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Michael Nees për faqen zyrtare të FFK-së u shpreh: “Ishte një lojë shumë intensive dhe shumë e mirë nga të dyja ekipet. Ne e dominuam ndeshjen mbi 60 minuta, ku e kishim kontrollin e topit dhe krijuam epërsi prej dy golash. Kur kishim mundësi për të shënuar edhe golin e tretë dhe ta ‘vrisnim’ ndeshjen, vendasit na shënuan gol. Më pas sërish kishim mundësi për ta shtuar epërsinë në 3:1, por loja ishte mjaft e luftuar dhe në fund pësuam edhe golin e dytë. Mendoj se kemi bërë një ndeshje shumë më të mirë sesa në miqësoren e parë. E kemi studiuar mirë ndeshjen e kaluar dhe kemi arritur të përmirësojmë dobësitë e shfaqura, duke bërë presion te kundërshtari dhe ajo që është me rëndësi edhe finalizimi i aksioneve ka qenë shumë më i mirë. Me lojën e treguar mendoj se e kemi merituar fitoren, por edhe barazimi është i rezultat i pranueshëm, pasi ishte një test i mirë para ndeshjeve kualifikuese, ku kemi inkuadruar 18 lojtarë. Jam i lumtur me punën e përgjithshme në këtë kamp, ngase kushtet për punë dhe akomodimi në hotel ishin fantastike. Po ashtu, rëndësi ka fakti se të gjithë lojtarët kanë qenë shumë të disiplinuar dhe që të gjithë kanë rezultuar negativ në testet për Covid-19, që në këtë periudhë që po kalojmë është shumë e rëndësishme. Duke pasur parasysh se kjo ishte hera e parë që ishim së bashku e konsideroj shumë të suksesshëm këtë kamp. Tani ajo që ka rëndësi është që këta futbollistë të kthehen në klubet e tyre dhe të punojnë e të luajnë në vazhdimësi, por edhe të përmirësohen në aspektin fizik, ngase loja nuk zgjat 68 minuta, por 90 minuta. Falënderoj të gjithë stafin për punën e bërë së bashku. Ne do të përpiqemi ta ndryshojmë mentalitetin dhe rrisim nivelin profesional e të kalojmë në një nivel tjetër, sepse kjo është rruga që na çon përpara”.