22 mars, 2018 – Kombëtarja U-21 ka shënuar fitore në ndeshjen kundër Azerbajxhanit, që u zhvillua sonte në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, me rezultat 2:0. Ndeshja u zhvillua nën reshjet e borës dhe temperaturave tejet të ulta, gjë e cila ndikoi që tribunat e stadiumit të jenë vetëm një numër i vogël i “Dardanëve”, por tejet të zëshëm, të cilët gjatë tërë 90 minutave nuk rreshtën së përkrahuri futbollistët në fushë. Djelmoshat e Rafet Prekazit e mbizotëruan plotësisht kundërshtarin dhe në fund me plotë meritë iu gëzuan fitores së tretë në kuadër të Grupit 5 për kualifikimet e Evropianit 2019. Kosova pati disa mundësi të mira shënimi në pjesën e parë, por Valmir Sulejmani (9’ e 40’) dhe Florent Hasani (23’ e 35’) nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës mysafire. Megjithatë, loja e mirë e Shpresave tona vazhdoi edhe në pjesën e dytë dhe si rrjedhojë nuk vonoi as zhbllokimi i rezultatit. Ishte Florent Hasani, ai, i cili në minutën e 54-t, shënoi nga distanca, pasi paraprakisht brenda zonës kombinuan Sulejmani e Daku. Vetëm shtatë minuta më vonë djemtë tanë e shtuan epërsinë, kësaj radhe me golin e Besfort Kolgecit me gjuajtje me kokë, pas harkimit të Dren Fekës nga këndorja. Më pas djemtë e administruan mjaft mirë lojën dhe nuk e lejuan kundërshtarin që në asnjë moment ta rrezikojë portën e Visar Bekajt. Festën e kësaj fitoreje e zbehu lëndimi i shënuesit të golit të dytë, Besfort Kolgeci, i cili gjatë një dueli me kundërshtarët pësoi frakturë në dorën e djathtë. Si rrjedhojë Kolgeci u transferua në spitalin e qytetit në Mitrovicë ku u trajtua nga stafi mjekësor dhe më pas iu bashkua shokëve gjatë kthimit në kryeqytet, por në dy-tri javët e ardhshme do të jetë i detyruar të pushojë. Do theksuar se pas fitores së sotme Kosova renditet në pozitën e tretë në renditjen e Grupit 5, me 10 pikë, aq sa ka edhe Irlanda në pozitën e dytë, por kjo e fundit ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, derisa Gjermania kryeson grupin me 15 pikë. E pikërisht Gjermania do të jetë kundërshtari i ardhshëm i Kosovës, ndeshje e cila do të luhet të martën, më 27 mars në Mitrovicë.
Deklaruan pas ndeshjes
Rafet Prekazi: “Po shihet se Kosova ka ngritje në lojë dhe po vërtetohet ajo çfarë kam thënë më herët se këta djem dinë të luajnë futboll. Kemi luajtur mirë edhe në ndeshjet e kaluara dhe nuk i kemi merituar humbjet, por mungesa e përvojës e ka bërë të veten. U kam dhënë hapësirë edhe futbollistëve nga Liga e Kosovës dhe jam i bindur se ne kemi potencial për rezultate shumë të mira. Është kënaqësi të jesh trajner i këtyre djemve. Koha po punon për ne dhe jam i sigurt se pas 4-5 vjetësh, Kosova do të jetë një skuadër shumë e respektuar. Pres që edhe kundër Gjermanisë djemtë të luajnë mirë, por jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një superfuqi të futbollit botëror”.
Florent Hasani: Ishte një fitore plotësisht e merituar për ne. Kemi qenë të detyruar ta arrijmë këtë fitore. Është mëkat që nuk kemi fituar edhe në Azerbajxhan. Sidoqoftë, duhet të shikojmë përpara, pasi gjasat për kualifikim janë ende. Të martën e kemi një kundërshtar shumë të vështirë, por duhet të jemi maksimalisht të përgatitur. Kjo fitore na e rrit motivin për sfidën me Gjermaninë. E dimë se do të kemi përballë kampionin në fuqi, por do të japim maksimumin për të mos zhgënjyer tifozët tanë as me lojë e as me rezultat.
Ardian Ismajli: Ashtu sikurse në ndeshjen e kaluar me Azerbajxhanin në Baku, edhe këtu dominuam plotësisht. Por, atje na mungoi goli, kurse këtu fatmirësisht i shfrytëzuam dy prej rasteve të shumta që krijuam. Fituam tri pikë jashtëzakonisht të rëndësishme para sfidës së vështirë me Gjermaninë. Publiku i pranishëm sonte e ka parë që çfarë loje kemi bërë dhe mendoj se e meritojmë që të vijnë për të na përkahur në numër më të madh në ndeshjen e së martës.
Valmir Sulejmani: Në pjesën e parë kemi luajtur mirë, i kemi pasur dy-tri raste shumë të mira, por fati nuk ishte me ne. Në pushim trajneri na motivoi edhe më shumë për t’i shfrytëzuar rastet dhe arritëm t’i realizojmë dy gola, edhe pse kemi mundur edhe më shumë. Jam i kënaqur me lojën time. Nuk pata fatin të shënoj, edhe pse isha afër pasi e qëllova edhe traversën, por shpresoj që këtë fat ta kam kundër Gjermanisë.