12 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbjen në ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit E të kualifikimeve për Euro 2019 ndaj Norvegjisë në Drammen, me shifrat 5:0. Rezultat i thellë nuk e tregon pasqyrën reale të ndeshjes, ndonëse u vërejt se norvegjezët kanë kualitete dhe u treguan të rrezikshëm sidomos në topat në ajër. Kosova pësoi gol herët qysh në minutën e 3-të, kur Morten Thorsby shënoi me kokë pas harkimit të Ryerson nga krahu i djathtë. Edhe goli i dytë i norvegjezëve erdhi nga loja në ajër. Në minutën e 3të Odegaard harkoi nga këndorja, derisa shtatlarti Martin Samuelsen e dërgoi me kokë topin në rrjetë. Kjo epërsi e hershme e norvegjezëve nuk ndikoi në moralin e lojtarëve tanë, të cilët u përpoqën maksimalisht të kthehen në rezultat. Rastin më të mirë e patën në minutën e 36-të kur Kabashi nga gjysmëfusha e gjeti për mrekulli Valmir Sylejmanin, por ky nuk gjuajti sa duhet fuqishëm për ta mposhtur portierin Rossbach. Edhe pjesën e dytë Kosova e nisi shumë mirë dhe qysh në minutën e 47-të iu dha mundësia për të ngushtuar epërsinë pas një aksioni të shkëlqyeshëm, kur pas bashkëveprimit të Gashi dhe Celinës, ky i fundit e shërbeu në qendër të zonës Sulejmanin, por gjuajtja e tij shkoi përskaj portës. Në minutën e 53-të ndodhi episodi që ndikoi dukshëm në rrjedhën e mëtejshme të ndeshjes, kur Besfort Kolgeci u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Samuelsenit. Epërsinë numerike në fushë norvegjezët në vazhdim e shfrytëzuan maksimalisht duke shënuar edhe tre gola tjerë nëpërmjet Birk Risa (66’), Erlend Reitan (83’) dhe Hanche Olsen (86’). Do theksuar se edhe këtë herë përkrahja e bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në Norvegji, por edhe vendet tjera skandinave ishte e madhe, për çka futbollistët dhe stafi i Kombëtares U21 shprehu falënderim të madh.
Deklaruan pas ndeshjes:
Rafet Prekazi, përzgjedhës i Kosovës: “Në pjesën e parë i morëm dy gola prej ndërprerjeve me lojën në ajër. Norvegjezët kanë lojtarë shtatlartë dhe e shfrytëzuan këtë. Mendoj se deri kur e kemi marrë kartonin e kuq kemi luajtur jashtëzakonisht mirë. Por, ky rezultat nuk të lë të flasësh më tepër. Djemtë janë angazhuar shumë. Kemi pasur shumë raste edhe ta barazojmë rezultatin e edhe ta përmbysim epërsinë e vendasve, mirëpo në momentin kur kemi mbetur me një lojtar më pak në fushë, atëherë ka ardhur në shprehje përgatitja fizike dhe na kanë mposhtur. Rezultati nuk është pasqyrë e asaj që është treguar në fushë edhe pse realisht Norvegjia është jashtëzakonisht e fortë”.
Leif Gunnar Smerud, përzgjedhës i Norvegjisë: “Kosova ka lojtarë shumë të mirë individual, të cilët janë luftarak dhe e japin zemrën në fushë. Loja deri te kartoni i kuq ka qenë përafërsisht e njëjtë, megjithëse goli ynë i hershëm na liroi nga presioni dhe na e bëri lojën më të lehtë. Pas kartonit të kuq gjërat ndryshuan dukshëm dhe mendoj se ky rezultat bindës është i pritshëm duke pasur parasysh se kundërshtari luajti me një lojtar më pak”
Bersant Celina: “Pësuam gol të hershëm dhe kjo i çliroi norvegjezët nga presioni. Megjithatë, ne edhe pas golit të dytë luajtëm mirë, por nuk i shfrytëzuam rastet që na u krijuan. Pas kartonit të kuq më nuk patëm mundësi të bëjmë diçka më tepër. Norvegjia ka ekip shumë të mirë. Unë u përpoqa ta bëj më të mirën, por sigurisht se kemi mundur të bëjmë më shumë, por rrjedha e lojës shkoi keq”
Valmir Sulejmani: “Kartoni i kuq na i këputi këmbët. Nuk patëm më forcën e duhur më për t’u rikthyer. Në pjesën e parë e pata atë rastin shumë të mirë, por nuk arrita të shënoj. Nuk pata fat në ato dy raste të krijuara, pasi sikur të shënoja rrjedha e lojës do të ndryshonte, ngase presioni do të kalonte tek norvegjezët. Goli i hershëm bëri që të lehtësohen gjërat për norvegjezët, por ne nuk u ndalëm dhe e dhamë maksimumin. Shpresoj se në ndeshjen e ardhshme që e luajmë kundër norvegjezëve në shtëpi do t’u hakmerremi për këtë humbje.