10 qershor, 2022 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbjen më të thellë në këtë cikël kualifikues për Kampionatin Evropian 2023. Pas fitores në Andorrë (3:0), Dardanët e rinj janë mundur në stadiumin “Fadil Vokrri” nga liderja e Grupit G, Anglia, me rezultat të thellë 5:0. Anglezët, të cilët qysh më herët e kanë siguruar kualifikimin në Evropian, edhe kësaj ndeshje iu qasën me seriozitet dhe në fund arritën fitore bindëse. Ata kaluan në epërsi qysh në minutën e dytë, me golin e realizuar nga Keane Lewis-Peter. Në minutën e 13-të epërsinë e shtoi Anthony Godron. Pas këtyre dy golave Kosova kishte disa mundësi për të gjetur golin, por nuk arriti t’i shfrytëzojë. Me rezultatin 2:0 ekipet shkuan në pushim, teksa në pjesën e dytë anglezët shënuan edhe tri herë në portën e David Ndrecës. Shifrat në 3:0 i çoi Cameron Archer, derisa i njëjti lojtar realizoi edhe golin e katërt në minutën e 72-të. Ndërkaq, rezultatin përfundimtar e vulosi Ilir Krasniqi, me autogolin e shënuar në minutën e 85-të. Anglia e udhëheq grupin me 25 pikë, derisa Kosova tani zbret në pozitën e katërt me 11 pikë. Ndeshjen e fundit në këtë fushatë kualifikuese Dardanët e rinj e mbyllin më 13 qershor në Elbasan, ku do të ballafaqohen me Shqipërinë.