19 tetor, 2019 – Presidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe ndihmëstrajneri i Kombëtares A, Muharrem Sahiti, kanë marrë pjesë sot në turneun e 7-të në futboll të vogël në Gjilan, që u organizua nga Sindikata e Policisë, për nder të policëve të rënë në detyrë. Në fjalën e tij, presidenti Ademi përshëndeti të pranishmit dhe familjet e policëve të rënë, derisa e përgëzoi komunën e Gjilanit dhe komandantin e policisë në këtë rajon, pasi Gjilani është qyteti më i qetë në Kosovë. Po ashtu, presidenti Ademi falënderoj Policinë e Kosovës si partner në sukseset e Federatës dhe Kombëtares së Kosovës, teksa theksoi se Policia dhe Federata janë bërë dy institucione të rëndësishme të popullatës tonë, ku njëra ofron sigurinë për qytetarët e vendit, derisa tjetra u ofron dhe u krijon kënaqësi dhe krenari tërë popullit tonë.