11 tetor, 2021 – Në prag të ndeshjes kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”, Kosovë-Gjeorgji, presidenti Agim Ademi, sipas traditës ka shtruar darkë për mysafirët nga Federata gjeorgjiane e futbollit, Alexander Iashvili dhe David Mujiri, e ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari Bakir Burri dhe Ud. Sekretari i përgjithshëm Taulant Hodaj. Presidenti Ademi i dëshiroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm mysafirëve nga Gjeorgjia, teksa gjatë darkës i njoftoi ata për historikun e futbollit kosovar dhe rrjedhat zhvillimore në vitet e fundit në të gjitha sferat. Ai shprehu gatishmërinë e afrimit të mëtejmë të dy federatave në realizimin e projekteve të përbashkëta që kanë për qëllim afirmimin e vlerave miqësore ndërmjet dy vendeve tona. Delegacioni gjeorgjian e falënderoi presidentin Ademi për mikpritjen e ngrohtë dhe për gatishmërinë e tij për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet dy federatave. Në fund sipas traditës krerët e FFK-së për mysafirët ndanë edhe dhurata.