25 janar, 2022 – Presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri, me bashkëpunëtorë, kanë vazhduar sot me vizitat e tyre në klubet e Superligës, të cilat ndodhen në Antali për fazën përgatitore. Pas vizitës së mbrëmshme te SC Gjilani, sot, krerët e FFK-së kanë vizituar Llapin, Dritën, Ballkanin, Ulpianën dhe Prishtinën. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për stinorin pranveror dhe zhvillimet e përgjithshme në futbollin e Kosovës, me qëllim të ngritjes së mëtejme organizative dhe të cilësisë së futbollit. Ata vlerësuan faktin se klubet tona po kanë mundësi të zhvillojnë fazën përgatitore në këtë vend bregdetar dhe po i masin forcat me klube nga vende të ndryshme evropiane, duke shprehur shpresën se puna e tyre intensive do të ndikojë që në pranverë të kemi kampionat shumë interesant dhe joshës për dashamirët e futbollit.