3 korrik, 2019 – Në kuadër të programit Grassroots, në hotel ‘Onix’ në Banjën e Pejës po mbahet kursi i tretë për trajneret femra “Women’s Grassroots Coaching Course”, i cili do të zgjasë pesë ditë dhe i cili i paraprinë kursit për Licencën C. Gjatë ditës së sotme vijueset e këtij kursi i kanë vizituar presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri. Me këtë rast presidenti Ademi i ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit e këtij kursi, teksa ka theksuar rëndësinë që po i jep FFK-ja edukimit të kuadrove të trajnerëve dhe sidomos futbollit të femrave. Ai është shprehur i lumtur që ky kurs ka zgjuar interesim të madh tek vajzat, të cilat ende janë aktive si futbolliste dhe që e shohin edhe të ardhmen e tyre si pjesë të futbollit. Ai ka shprehur shpresën që këto vajza do t’i vazhdojnë edhe kurset e tjera të edukimit dhe do të arrijnë deri te Licenca Profi, derisa u ka premtuar përkrahje të vazhdueshme.