4 qershor, 2022 – Presidenti Agim Ademi në prag të ndeshjes për Ligën e Kombeve, Kosovë – Greqi, ka shtruar darkën tradicionale për delegacionin e Federatës greke të futbollit në krye me presidentin, Takis Baltakos si dhe delegatin e UEFA-s, e ku të pranishëm ishin edhe nënkryetari Bakir Burri dhe u.d. sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj. Gjatë kësaj darke, presidenti Ademi e ka uruar z. Baltakos për zgjedhjen e tij në krye të Federatës së Futbollit të Greqisë në fillim të këtij muaji. Kreu i FFK-së ka thënë se pikërisht futbolli ka bërë që dy vendet tona të përafrohen edhe më shumë, pavarësisht aspektit politik. Ademi theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy federatave edhe në të ardhmen dhe promovimin e miqësisë dhe vlerave të futbollit ndërmjet dy vendeve. Nga ana e tij presidenti i Federatës greke e falënderoi presidentin Ademi për mikpritjen e ngrohtë dhe u shpreh i lumtur që vizitën e parë në pozicionin e tij e ka bërë pikërisht në Kosovë. Në fund të darkës të dy presidentët shkëmbyen dhurata dhe uruan për një lojë të mirë në ndeshjen e nesërme.