24 gusht, 2021 – Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Liqeni është kualifikuar në “Main Round” të Ligës së Kampionëve. Skuadra nga Drenasi në ndeshjen e fundit dhe vendimtare në grup në fazën parakualifikuese e ka mundur skuadrën gjermane, Weilimdorf, me rezultat 3:2. Liqeni kaloi në epërsi në minutën e 2-të me golin e Arbër Shkodrës. Dy minuta më vonë shifrat në 1:1 i barazoi Maro Duras, me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë, e cila u përshkrua me rivalitet të madh. Gjermanët kaluan në epërsi në minutën e 25-të, me golin e dytë të Maro Duras, por kampionët kosovarë nuk u dorëzuan dhe arritën që të përmbysin rezultatin me golat e shënuar nga Jakup Ramadani (30′) dhe Sebastian Camillo Sanchez (38′). Në dy ndeshjet tjera të Grupit H, Liqeni e ka mposhtur Tavsancalin 5:0 dhe Helvecian 7:6. Kësisoj, me 9 pikë nga tri ndeshje, Liqeni përfundoi në vendin e parë dhe do t’i vazhdojë garat në garën elitare në fazën e njohur si “Main Round”. Shorti për këtë fazë do të tërhiqet më 30 gusht, kurse ndeshjet zhvillohen prej 26 deri më 31 tetor.