Skuadra e Lirisë ka shënuar fitoren e tretë në këtë edicion të Raiffeisen Superligës. Prizrenasit, të mërkurën, në kuadër të javës së 13-të, para tifozëve të vet në stadiumin “Përparim Thaçi”, e kanë mposhtur Gjilanin, me rezultat 1:0. Për gjilanasit kjo ishte humbja e dytë radhazi, pasi tri ditë më herët u mposhtën nga rivalja e qytetit, Drita. Që nga fillimi i ndeshjes futbollistët e Lirisë u treguan më të mirë dhe më këmbëngulës për fitore. Në minutën e 34-t Dardan Rogova pati mundësi shumë të mirë, por nga brendësia e zonës gjuajti pranë shtyllës së portës gjilanase, ndërsa nëntë minuta më vonë edhe Blendi Memaj pati rast të mirë, por gjuajtja e tij nuk shkoi në kuadratin e portës. Ndërkohë, shifrat u zhbllokuan në minutën e 45-të, kur Florim Bërbatovci shënoi nga penalltia. Edhe në pjesën e dytë Liria u shfaq më e mirë dhe pati disa mundësi shumë të mira, ndër të cilat duhet veçuar atë të minutës së 89-të, kur Florim Bërbatovci nga afërsia e qëlloi tërthorësen e portës mysafire.
Vushtrria ka pësuar humbjen e pestë me radhë. Ekipi bardh e kaltër kësaj radhe ka humbur në shtëpi nga Besa e Pejës me rezultat 0:1. Fitoren pejanëve ua ka siguruar Kastriot Rexhën në minutën e 29-të. Pas kësaj humbje, Vushtrria mbetet në kuotën e 12 pikëve, derisa Besa tani ka tubuar 20 pikë.
Hajvalia ka shënuar një fitore të rëndësishme në garë për titullin e kampionit në Superligë. Ekipi i Ismet Munizhit e ka mposhtur Drenicën në Skenderaj me rezultat 1:3.
Golat për Hajvalinë i kanë realizuar Liridon Leci (59), Gëzim Gashi (84) dhe Azem Ahmeti (88). Kurse, për ekipin kuqezi ka shënuar Taulant Dajaku (61).
Pas kësaj fitore, Hajvalia është ngjitur në kuotën e 22 pikëve, derisa Drenica mbetet me 16 pikë të tubuara.
Prishtina më në fund ka gjetur fitoren. Ekipi bardh e kaltër e ka mposhtur Istogun me rezultat minimal 1:0. Golin e fitores për Prishtinën e ka realizuar Shend Kelmendi në minutën e 72-të. Pas kësaj fitore, Prishtina është ngjitur në kuotën e 14 pikëve, derisa Istogu mbetet i fundit me vetëm 8 pikë.
RaiffeisenSuperliga : Java e 13-te