Skuadra kryesuese në Raiffeisen Superligë, Llamkos Kosova, ka arritur ta shkëpusë një pikë në Kizhnicë, të hënën, në ndeshjen e fundit të javës së 24-t në duel me Hajvalinë, duke barazuar 2:2.
Në dy ndeshjet paraprake me këtë skuadër vushtrriasit kishin pësuar humbje, por kësaj radhe djelmoshat e Ismet Munishit arritën të nxjerrin një pikë ndaj ‘maces së zezë’, siç është vlerësuar kohët e fundit Hajvalia për kryesuesit e renditjes.
Edhe këtë herë të dyja palët zhvilluan lojë shumë të mirë dhe me raste të shumta shënimi. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Semir Zenelit, në minutën e 15-të, por vendasit e rikthyen shpejt baraspeshën në rezultat, kur në minutën e 17-të Fillim Guraziu shënoi nga afërsia pas topit të kthyer nga traversa.
Ndeshja që mbylli javën e 24-të, ishte mjaftë e mirë dhe dramatike pasi vendasit kishin epërsinë e një goli vetëm 5 minuta para fundit, por mysafirët realizuan golin e barazimit, pikë e cila cilësohet si e titullit të kampionit. I njëjti futbollist shënoi edhe golin e epërsisë për Hajvalinë në fillim të pjesën e dytë, me një gjuajtje të shkëlqyeshme. Ndërkohë, kur vendasit po përgatiteshin ta festonin edhe fitoren e tretë rresht në duel me Llamkosin, në minutën e 86-të Bashkim Shala shënoi golin e barazimit.
Pas këtij barazimi Llamkos Kosova ka 11 pikë më shumë se Ferizaj i vendit të dytë dhe praktikisht çështja e titullit duket e mbyllur, derisa Hajvalia ka 29 pikë, por mbetet në mesin e skuadrave të rrezikuara.