Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme si mysafire në ndeshjen hapëse të javës së 13-të në Raiffeisen Superligë. Llapjanët, të martën, e kanë mposhtur Trepçën’89, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, me rezultat 2:1. Trepça ’89 e nisi më mirë ndeshjen. Pas disa rasteve të pashfrytëzuara, vendasit arritën të kalojnë në epërsi në minutën e 25-të, kur Diar Mustafa shënoi një eurogol me një gjuajtje nga 20 metra. Mirëpo, vetëm pesë minuta më vonë Llapi i barazoi shifrat, me golin e shënuar nga Ilir Blakqori, i cili shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes vendase. Ky gol i dha motiv shtesë mysafirëve, të cilët në minutën e 39-të shënuan edhe golin e epërsisë, që në fund doli të jetë edhe goli i fitores. Ishte Alban Mavriqi, ai i cili shënoi nga afërsia, pasi më parë portieri i vendasve e dëboi topin pas gjuajtjes së Kadriut. Në pjesën e dytë Trepça’89 bëri përpjekje për të barazuar rezultatin, por nuk ia arriti këtij qëllimi ndonëse pati mundësi të shumta. Rastin më të mirë vendasit e patën në minutën e 90-të, por Blerand Kurtishaj nuk e realizoi penalltinë, pasi gjuajtjen e tij e priti portieri Afrim Ademi. Llapi që nga minuta e 52-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Egzon Sinanit.