1 tetor, 2017 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 8-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese në renditje, Llapi, ka vazhduar me formë të mirë, duke e mposhtur Prishtinën, me rezultat bindës, 3:0, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Me këtë fitore llapjanët e kanë përforcuar pozitën e parë, pasi kryesojnë të vetëm me 17 pikë. Golat për Llapin në këtë takim i shënuan Gentrit Begolli (8’), Hamdi Namani (24’) dhe Florim Berbatovci (90’). Ndërkohë, Drenica ka shënuar fitore si mysafire, duke e mposhtur Besën në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, me rezultat 2:0. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i shënuan Visar Berisha (27’) dhe Enis Zabërgja (61’). Dy ndeshje të ditës së sotme janë mbyllur pa fitues dhe pa gola. Kampiona në fuqi, Trepça’89 ka shkëputur një pikë në Gjakovë në duel me Vëllaznimin, derisa Liria arkëtoi një pikë në Gjilan në ballafaqim me Vllazninë e Pozheranit.