16 tetor, 2021 – Sot janë zhvilluar edhe tri ndeshjet e tjera të javës së 9-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në kryeqytet, duke e mundur Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:1. Prishtina kishte epërsi me golin e Besnik Krasniqit nga penalltia deri në minutat shtesë. Në këtë periudhë të lojës llapjanët arritën jo vetëm të barazojnë, por edhe ta përmbysin rezultatin, me golat e Kastriot Selmanit (93’) dhe Valmir Veliut (95’). Për Llapin kjo ishte fitorja e dytë në këtë edicion, derisa Prishtina edhe më tutje mbetet pa fitore në shtëpi, por ka realizuar dy të tilla si mysafire. Fitore në shtëpi ka realizuar Dukagjini, që e ka mundur Malishevën, me rezultat 2:0. Golat për Dukagjinin i shënuan Bujar Shabani në minutën e 68-të dhe Granit Elezaj në minutën e 94-t. Ndërkaq, ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit është mbyllur pa fitues, me rezultat 1:1. Gjilani arriti të kalojë në epërsi në minutën e 58-të, me golin e Gerhard Prognit, ndonëse vetëm dy minuta më herët mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Besar Musollit, pas rishikimit të VAR-it. Megjithatë, një pikë Ballkanit ia siguroi Nazmi Gripshi, me golin e shënuar nga gjuajtja e lirë. Pas këtij barazimi Ballkani i barazon pikët me Drenicën në kreun e renditjes, derisa Gjilani mbetet në vendin e tretë, me 14 pikë.