17 gusht, 2021 – Skuadra fituese e Kupës së Kosovës, Llapi iu ka gëzuar trofeut të Superkupës, pasi sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka mundur skuadrën kampione të Kosovës, Prishtinën, me rezultat 3:1. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras, 1:1, derisa në vazhdime llapjanët ishin më të mirë dhe arritën që me dy gola t’i gëzohen një tjetër trofeu të rëndësishëm. E për herë të parë në një ndeshje zyrtare në histori të futbollit të Kosovës u përdor edhe sistemi VAR, i cili u inaugurua pak para fillimit të ndeshjes nga presidenti Agim Ademi. Prishtina kaloi në epërsi me golin e Otto John, në minutën e 66-të, derisa Llapi barazoi përmes Festim Alidemës nga penalltia, në minutën e 86-të. Llapjanët kaluan në epërsi në minutën e 102 me golin e shkëlqyeshëm të Valmir Veliut, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Festim Alidema, nga penalltia, në minutën e 114-të. Në këtë ndeshje u përjashtuan tre lojtarë: Endrit Krasniqi i Prishtinës në pjesën e parë dhe Arbnor Ramadani i Llapit, në pjesën e dytë, si dhe portieri prishtinas Betim Halimi, në vazhdime kur e shkaktoi penalltinë. Në fund medaljet dhe trofeun e ndanë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kryeministri i Republikës, Albin Kurti, zëvendësministrja e sportit, Daulina Osmani, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi.












