5 qershor, 2020 – Pas gati tre muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë Covid-19, ka rinisur kampionati në Ipko Superligë, me ndeshjen Llapi – Dukagjini, e cila u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Pas një loje interesante e më shumë raste, fitores iu gëzuan llapjanët, me rezultat 4:1. Llapi kaloi në epërsi qysh në minutën e 3-të, me golin e realizuar nga Elvis Prençi nga afërsia. Me epërsinë e një goli për vendasit u mbyll pjesa e parë, derisa vazhdimi i ndeshjes solli dy gola të shpejtë, nga një në secilën anë. Fillimisht Llapi shënoi golin e dytë me Kastriot Selmanin në minutën e 48-të, derisa tre minuta më vonë Erblind Mulaj shënoi për mysafirët, që ishte goli i tyre i vetëm. Deri në fund të ndeshjes Llapi shënoi edhe dy gola tjerë, nëpërmjet Alban Shabanit (68′) dhe Valmir Veliut (90+2′). Pas kësaj fitoreje Llapi ngjitet në pozitën e 5-të, me 37 pikë, derisa skuadra nga Klina mbetet e fundit, me 10 pikë.