Sot në ditën e Evropës në përpjekjet tona si shtet për integrim në Evropë, iu dha një lajm i mirë opinionit sportiv. Në fakt, sot, Kombëtares së Kosovës në futboll ju bashkëngjit edhe një Dardan, një yll i Evropës – futbollisti i shkëlqyeshëm, Florent Hadërgjonaj.
Pa dyshim se ardhja e tij do të na e lehtësojë shumë përmbushjen e objektivit tonë që ta kualifikojmë Kosovën në “Euro 2020”. Hapin të cilin e ndërmori Florenti është hap i natyrshëm sepse ai përkundër që ishte i grumbulluar me të gjitha grupmoshat e Zvicrës, madje edhe nga Kombëtarja A, në takimin tonë të fundit ku ishim së bashku me menaxherin e tij Erdin Shaqiri, trajnerin Bernard Challandes dhe anëtarin e KE të FFK-së, Flamur Bunjaku, ishte i prerë për të luajtur për Kosovën.
Edhe pse Florenti është i lindur në Zvicër, ai, është rritur në frymën patriotike, duke mos harruar asnjëherë rrënjët e veta. Vendimi i marrë prej tij edhe njëherë dëshmon se sa shumë e duan bashkatdhetarët tanë Kosovën.
Shumica e këtyre familjeve u detyruan ta braktisin atdheun e tyre në kohën e okupimit dhe represionit serb, si dhe për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare kundër regjimit të atëhershëm.
Shkuarja e tyre në vendet e Perëndimit rezultoi me kontributin e tyre financiar për familjet dhe Kosovën në vitet e 90-ta, kurse tani erdhi koha që bijtë dhe bijat e këtyre bashkatdhetarëve ta përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në futboll, duke e bërë krenar tërë kombin.
Prandaj, falënderoj bashkatdhetarët që i rritën këto gjenerata dhe i orientuan në frymën kombëtare. Në rastin konkret të Florentit, falënderoj familjarët e tij të ngushtë, si dhe dajtë e tij, në konakun e të cilëve është marrë vendimi që Florenti t’i bashkohet Kosovës. Po ashtu falënderoj njeriun që ishte i prerë për t’iu realizuar dëshira Florentit për të qenë pjesë e Kombëtares së Kosovës, menaxherin Erdin Shaqiri.
Shfrytëzoj këtë rast që edhe njëherë publikisht t’i dëshiroj Florentit mirëseardhje dhe ta uroj ekipin tonë kombëtar, Dardanët dhe gjithë futbolldashësit për ardhjen e Florentit.
Gjithashtu, ftoj edhe një herë të gjithë talentet tonë kudo që janë nëpër Evropë e botë që t’i bashkohen ekipit tonë kombëtar dhe ta japin kontributin e tyre për vendin e të parëve në mënyrë që ta kemi më të lehtë realizimin e ëndrrës tonë të drejtë dhe të merituar – kualifikimin e Kosovës në “Euro 2020”.
Vazhdojmë misionin tonë me Krenari dhe Përgjegjësi.
Urime!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së