Të nderuar,
Futbollistë, trajnerë, drejtues të klubeve, staf i ekipeve kombëtare, punëtorë të administratës së FFK-së dhe të klubeve, anëtarë të organeve të FFK-së, gjyqtarë, tifozë, gazetarë sportivë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!
Sot e shënojmë 5-vjetorin e anëtarësimit në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA. 13 maji, 2016 është një tjetër datë historike për futbollin e Kosovës. Pas thyerjes së izolimit 25-vjeçar me datën 3 maj, 2016 me anëtarësim në UEFA, misioni i Federatës së Futbollit të Kosovës u kompletua më 13 maj, 2016, kur Kosova u pranua me shumicë votash si anëtare e FIFA-s në Kongresin e mbajtur në Meksikë.
Si në çdo datë tjetër të rëndësishme për futbollin e Kosovës, edhe sot kujtojmë me mirënjohje e krenari të gjitha gjeneratat e futbollistëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe drejtuesve të FFK-së që punuan me kurajë e këmbëngulësi në arritjen e këtij misioni të shenjtë për futbollin dhe vendin tonë.
Në këtë ditë të veçantë falënderoj të gjithë ata që për dy dekada e gjysmë e mbajtën gjallë vazhdimësinë e futbollit në Kosovë me mjetet vetanake, pastaj të gjithë brezat e futbollistëve dhe drejtuesit e FFK-së ndër vite, e posaçërisht ish-presidentin Fadil Vokrri. Duke bashkërenditur kontributet e kryetarëve dhe KE-ve të mëparshme, KE në krye me Vokrrin e konkretizoi anëtarësimin në UEFA e FIFA, për të ngelur në histori dhe për të vazhduar me suksese në vazhdimësi.
Gjatë këtyre pesë viteve kemi bërë punë të mëdha në të gjitha segmentet, teksa tani në partneritet me UEFA-n e FIFA-n, por edhe me mbështetje të institucioneve vendore, jemi në proces të zhvillimeve tjera, të cilat e garantojnë ngritjen e mëtejme të futbollit në Kosovë.
Duke qenë i bindur për ditë të mira për futbollin e Kosovës, për çka jemi duke punuar së bashku me Komitetin Ekzekutiv dhe të gjithë të përfshirët në futboll, uroj që shënimi i përvjetorëve tjerë të na gjejë në rrethana më të mira dhe ta tejkalojmë pandeminë, në mënyrë që tifozët t’u rikthehen stadiumeve dhe ta shijojmë spektaklin dhe magjinë e futbollit.
Vazhdojmë – me Krenari e Përgjegjësi!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së