22 qershor, 2021 – Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, karrierën do ta vazhdojë në Ligën Premiere të Anglisë. Dardani ynë i ka dhënë lamtumirën skuadrës gjermane, Werder Bremen, ku luajti që nga janari i vitit 2018 dhe ku realizoi 27 gola në 100 ndeshje. Ai, të martën, e ka finalizuar transferimin te skuadra angleze, Norwich City, e cila arriti të rikthehet në elitën e futbollit anglez.
“Vendosa të provoj një sfidë të re pas 3 viteve e gjysmë te Werder Bremen. Dua t’u falënderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj gjatë kësaj periudhe (jo gjithmonë aq e lehtë). Unë dhe familja ime jemi ndjerë shumë mirë në Bremen. Djali im Tian lindi këtu, mjafton vetëm kaq për të thënë që Bremeni do të jetë gjithmonë i veçantë në zemrën time dhe të familjes time. Të jeni të sigurt që do të lutem për ju dhe klubin. Faleminderit për gjithçka tifozëve, shokëve të skuadrës dhe gjithë të tjerëve. Ju uroj shëndet dhe gjithë të mira, i juaji, Miloti“, ka shkruar në postimin emocionues Rashica.
Ndërkaq në një video të publikuar në rrjetet sociale të Norwich Cityt, Rashica duke iu drejtuar tifozëve të këtij klubi ka thënë se ndjehet shumë i lumtur dhe i ngazëllyer që iu bashkua Norwich Cityt dhe se mezi pret të fillojë të luajë në fanellën e këtij klubi dhe para tifozëve të saj.