11 janar, 2018 – Sot presidenti i FFK-së z. Fadil Vokrri me bashkëpunëtorë priti ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi me bashkëpunëtorë, për të bashkërenduar hapat e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe zyrtari i UEFA-s Thierre Favre, i cili po qëndron për vizitë zyrtare FFK-së.
Presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri duke i dëshiruar mirëseardhje në selinë e FFK-së ministrit Kujtim Gashi dhe duke falënderuar për këtë vizitë ka thënë se bashkëpunimi i FFK-së me Minsitrinë ka qenë gjithmonë parimor dhe i frytshëm. Ndërkaq ministri Gashi ka falënderuar presidentin Vokrri, për pritje tha se kjo është vizita e parë e tij federatave sportive. Presidenti Vokrri dhe ministri Gashi biseduan për zhvillimet në futbollin e Kosovës, për objektin në të cilin është e vendosur federata dhe për mundësinë që pronësia e objektit të kalojë nën menaxhimin e federatës. Ata po ashtu diskutuan për infrastrukturën sportive dhe investimet e shumta që po bënë MKRS-ja për të krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Ministri Gashi u shpreh se do të angazhohet për finalizimin e procedurës së kalimit të objektit në pronësi të FFK-së. “Bashkërisht jemi pajtuar që ta procedojmë në një mbledhje të Qeverisë në mënyrë që ky objekt të largohet nga procesi i privatizimit në të ardhmen dhe i njëjti të kthehet për shfrytëzim nga Federata e Futbollit të Kosovës”, tha ministri.
Ministri Gashi nënvizoi se do të arrihen marrëveshje tri palëshe mes MKRS-së, FFK-së dhe Komunave për investime në infrastrukturën sportive, në fusha ndihmëse, me qëllim që klubet tona të futbollit të kenë hapësirat e nevojshme për të zhvilluar aktivitetet e tyre dhe futbolli të avancohet në përgjithësi. Ministri tha se në fund të prillit ose në fillim të muajit maj, stadiumi i Prishtinës do të jetë i gatshëm për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Në këtë pikë edhe presidenti Fadil Vokrri e njohu ministrin Kujtim Gashi se tashmë FFK-ja është e gatshme të investojë në përmirësimin e infrastrukturës në veçanti në ndërtimin e fushave ndihmëse për klubet e Vala Superligës, aty ku ka gatishmëri edhe nga pushteti lokal që së bashku të investojnë.
Vokrri dhe Gashi diskutuan edhe për aspektin e menaxhimit të fushave dhe terreneve sportive. “Ne për vitin 2018 kemi planifikuar si ministri ta kemi edhe një ligj të veçantë që quhet Ligji për menaxhim të objekteve sportive dhe besoj që kjo i paraprin këtij komunikimi që po e bëjmë me Federatën, me Komunat dhe me gjithë akterët e përfshirë në këtë proces”, tha ministri.
Ndër të tjera, ministri Gashi dhe presidenti Vokrri diskutuan në veçanti edhe për ecuritë e procedurave rreth ndërtimit të Stadiumit Kombëtar dhe janë fazën e diskutimeve me partnerët hungarezë të cilët do të ndihmojnë përmes një kredie të butë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm jo vetëm për futbollin por edhe për interesin e vendit tonë.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin dhe bashkëpjesëmarrjen dypalëshe në projekte të natyrave të ndryshme të cilat kanë një rëndësi të veçantë për avancimin e mëtejmë të futbollit të Kosovës. Ministri Gashi vizitoi edhe hapësirat e FFK-së për të parë kushtet në të cilat punojnë punëtorët e federatës, ndërkaq në fund të vizitës presidenti Vokrri i dhuroi ministrit një fanellë të Kombëtares së Kosovës me numrin 9.