15 maj, 2021 – Skuadra e Mitrovicës është kurorëzuar me titullin e katërt të kampionit në Ligën e Femrave. Në ndeshjen e javës së fundit të kampionatit, Mitrovica është përballur në “Riza Lushta” me skuadrën e Jakovës, e të  cilën e ka mposhtur me rezultat të thellë, 10:0. Në fakt në këtë edicion të garave futbollistet e Mitrovicës kanë qenë të pakonkurrencë në garën për titull, duke i fituar 19 nga 20 ndeshjet e zhvilluara. Kjo ndeshje kishte karakter festues, pasi skuadra mitrovicase e kishte siguruar titullin më herët. Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe trofeut të kampionit morën pjesë kryetarja e Komisionit të Futbollit të femrave, njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, anëtari i KE-së nga rajoni i Mitrovicës, Xhelal Broja, administratorja e Ligës së Femrave, Valbona Gashi-Uka, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka dhe kryetari i LRF të Mitrovicës, Bardhec Seferi. Kësisoj, Mitrovica sërish do ta përfaqësojë Kosovën në garat e Ligës së Kampionëve.

0