Sot, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës, lidhur me renovinim tërësor të Stadiumit të Qytetit të Prishtinës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri Kujtim Shala, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, si dhe nënkryetari i KF “Prishtina”, Ahmet Kurtolli. Memorandumi i nënshkruar parasheh një investim të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës së Stadiumit të Prishtinë. Projekti në përgjithësi ka vlerën e rreth 3 milion eurosh, 75% e të cilave janë investime të MKRS-së, ndërkaq 25% të Komunës së Prishtinës dhe parashihet të finalizohet gjatë vitit 2016. Ministri Shala e vlerësoi këtë moment si një ngjarje tejet të rëndësishme për sportin e Kosovës, sidomos për kryeqytetin, meqë me Komunën e Prishtinës po investohet në përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës së Stadiumit të Prishtinës dhe në arritjen e standardeve ndërkombëtare. Sipas tij faza e parë e cila do të fillojë sivjet llogaritet të kushtojë rreth 1 milion e 700 mijë euro dhe më pastaj është pjesa tjetër rreth 1 milion e 300 mijë euro. Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u shpreh se ky investim është i domosdoshëm dhe ndihmon dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës në Stadiumin e Prishtinës, që të jetë i gatshëm për gara ndërkombëtare, sidomos tani kur futbolli i Kosovës pritet të pranohet në organizmat ndërkombëtarë. Kryetari Ahmeti duke e vlerësuar bashkëpunimin me MKRS-në në fushën e sportit dhe kulturës, u shpreh se do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen në projekte të rëndësishme për kryeqytetin. Ndërkaq, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri falënderoi ministrin Shala dhe kryetarin Ahmeti për bashkëpunimin dhe shtoi se në këtë stadium prej se ekziston nuk janë bërë investime të tilla, prandaj ky është një moment historik.