Sot më 31 maj, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e Agim Ademit, nënkryetar mbajti mbledhjen e vet të rregullt ku bisedoi për shumë çështje. Në fillim nënkryetari Ademi edhe një herë, në emër të kryetarit Vokrri dhe KE-së, ka falënderuar ish-kryetarët e FFK-së, klubet, kryetarët e rajoneve, futbolldashësit, sponsorët, mediat, Policinë e Kosovës dhe të gjithë miqtë e FFK-së të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm që futbolli i Kosovës është anëtarësuar në UEFA dhe FIFA. Nënkryetari Agim Ademi ka përgëzuar edhe dy klubet KF ”Feronikeli” dhe FC ”Prishtina”, të cilët do të marrin pjesë në garat evropiane, e para në Ligën e Kampionëve dhe e dyta në Europa ligë. Po ashtu u dha një raport i garave për Superligë dhe Ligën e parë. Në këtë mbledhje u diskutuan edhe njëherë ndeshjet e barazhit ku tashmë është caktuar që me 1 qershor zhvillohet ndeshja Drenica-Dukagjini në orën 16.00 në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, ndërsa më 2 qershor në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas zhvillohet ndeshja Drita-Flamurtari. Në Ligën e Parë ndeshjet e barazhit zhvillohen më 4 qershor në Stadiumin “Agron Rama” në Kastriot zhvillohet ndeshja Kosova e Prishtinës- Rilindja e Kosovës (Skivjan), ndërkaq më 5 qershor në të njëjtin vend zhvillohet ndeshja Vitia –Lepenci. Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16.00. Për ndeshjet e barazhit u caktuan edhe mbikëqyrësit për Superligë, Agim Maloku, ndërsa për Ligën e Parë, Iljaz Mjaku. KE mori vendim që nga kampionati i ardhshëm të nis edhe Liga e Kosovës për kadetë, ku do të përfshihen 12 ekipe nga Superliga. Është vendosur që të bëhet ofertë për sponsorizim të ligave dhe për të drejtat televizive për garat e Kosovës. Në fund, sekretari i përgjithshëm foli për takimet që pati në UEFA duke shtuar se FFK-në e presin punë të mëdha.