Sot më 1 prill, KE i FFK-së nën drejtimin e Agim Ademi nënkryetar, mbajti mbledhjen e vet të radhës ku shqyrtoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. Anëtarët e KE u njohën rreth zhvillimit të dy ndeshjeve të radhës të përfaqësueses së Kosovës, që janë të planifikuara të zhvillohen më 21 maj kundër Turqisë dhe më 25 maj kundër Senegalit. Kundër Turqisë do të zhvillohet në Kosovë, ndërsa kundër Senegalit do të zhvillohet në Gjenevë. KE falënderon Federatën e Futbollit të Turqisë e në veçanti z. Ali Sheni dhe përzgjedhësin Fatih Terim që ndihmuan që kjo të bëhet e realizueshme, sikur që falënderon edhe Federatën e Senegalit dhe përzgjedhësin Alan Girese. Përgatitjet rreth këtyre ndeshjeve kanë filluar menjëherë dhe po shkojnë me dinamikën e paraparë. KE analizoi edhe rrjedhën e deritashme të Kampionatit duke vlerësuar se garat në Superligë po rrjedhin normalisht duke mos anashkaluar incidentin në Hajvali në ndeshjen Hajvalia-Llamkos Kosova, që shkaktuan disa adhurues të pandërgjegjshëm. Ndërsa, në Ligën e parë janë shënuar disa dobësi e lëshim dhe kërkohet nga të gjithë që të jenë në nivel të përgjegjësive sepse organet e FFK-së nuk do të lejojnë asnjë veprim që bie ndesh me aktet normative të FFK-së. KE është i vendosur që të luftojë kundër çdo dhune dhe parregullsie në futbollin e Kosovës dhe bën thirrje edhe organeve tjera të shtetit që të ndërmarrin hapat e nevojshëm konform ligjeve. Së këndejmi edhe nga KOK-u kërkohet më shumë angazhim në parandalimin e ekseseve në sport.