ffk-llogofinSot më 3 nëntor Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e Agim Ademit nënkryetar ku debatoi për shumë çështje me rëndësi. KE analizoi rrjedhën e deritashme të kampionatit në të gjitha rangjet e garave dhe pas shumë diskutimeve konstatoi se kampionati ka një rrjedhë normale në të gjitha segmentet. KE edhe më tej fton organet e veta që të vazhdojnë të  jenë në nivelin e detyrave, madje të jetë edhe më syçelë në këtë fazë.
Megjithëse, ndeshja festive ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ishte paraparë të zhvillohet më 17 nëntor, për të cilën FFK-ja e kishte lajmëruar FIFA-n sipas rregullave, me kërkesën e FSHF-së, e cila dëshironte të gjejë edhe një kundërashtar për terminet e lira,  FFK-ja u pajtua që kjo ndeshje të zhvillohet më 13 nëntor 2015, me kusht që ky termin të jetë i pranueshëm nga ana e FIFA-s. Në të kundërtën ndeshja nuk do të zhvillohet në këtë termin dhe mbetet në vullnetin e FSHF-së nëse dëshiron që kjo ndeshje të zhvillohet më 17 nëntor.
KE shqyrtoi raportin e vizitës së kryetarit të FFK-së Fadil Vokrri në Nyon të Zvicrës, ku kryetari Vokrri pati shumë takime me zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s për të marrë përkrahjen drejt pranimit të FFK-së dhe të cilët kanë mbështetur kërkesën e FFK-së si të drejtë. Krerët e FFK-së, kryetari Fadil Vokrri e sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, në këtë drejtim do të vazhdojnë takimet me kryetarë e zyrtarë të Federatave të rajonit për të biseduar dhe për të siguruar mbështetjen për FFK-në. Fillimisht krerët e FFK-së nesër do të kenë takime me kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ndërsa me 10 nëntor do të takohen me kryetarin e Federatës së Futbollit të Sllovenisë dhe më 25 nëntor me atë të Federatës së Turqisë.