Federata e Futbollit e Kosovës njofton mediat se tërheqjen e akreditimeve për ndeshjen e sotme Kosovë U21 – Angli U21, e vlefshme për kualifikimet Euro 2021, janë të obliguar ta bëjnë prej orës 17:30 – 18:30.
Në hyrjet e stadiumit si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli, prandaj luten të gjithë që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat.
Personat të cilët nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore.
Rregullat:
- Çdo person që hyn në stadium është i detyruar të mbajë maskën gjatë gjithë kohës.
- Çdo person që hyn në stadium kalon përmes një kontrolli të temperaturës dhe tunelit dezinfektues në hyrje të stadiumit (zyrtari i higjienës mund t’i kërkojë atij që të bëjë ekzaminim shtesë në varësi të nivelit të temperaturës)
- Personat që nuk kanë një certifikatë testimi të virusit do të plotësojnë një formular kontrolli me informacione personale dhe pyetje në lidhje me simptomat e virusit.
- Gazetarët do të shkojnë në tribunën e mediave dhe do të ulen në vendet e shënuara me emrat e tyre (ndalohet të ulen në vendet e shënuara “mos u ul”).
- Fotografët do të kenë një hyrje të veçantë duke i çuar ata drejtpërdrejt në fushë.