24 maj, 2017 – (Castlebar , Republika e Irlandës) – Në ditën e gjashtë të qëndrimit në Castlebar, Kombëtarja e Kosovës U-17, një ditë pas ndeshjes kundër Republikës së Irlandës, mbajti stërvitjen e radhës, duke bërë analizën e ndeshjes së një ditë më parë dhe duke u përgatitur për ndeshjen e tretë dhe të fundit në turneun ndërkombëtar U-16 të organizuar nga UEFA, kundër Irlandës Veriore. Shtabi teknik bashkë me futbollistët analizuan pikat e forta por edhe gabimet dhe dështimet në ndeshjen e kaluar, në mënyrë që ato të meta të evitohen. Para dite ekspedita e Kosovës i bëri një vizite klubit sportiv me persona që vuajnë nga Syndrome Down, ku u pritën nga drejtues, veteran dhe futbollistë të rinj. Ishte ky një nderim që i gëzoi pamasë këta persona të cilët bënë edhe shumë fotografi të përbashkëta dhe individuale me futbollistët e rinj të Kombëtares. Pas stërvitjeve për ndeshjen e fundit kundër Irlandës Veriore disa nga futbollistët u shprehen:
Ermir Shabani, futbollist
Jemi përgatitur që në këtë ndeshje kundër Irlandës Veriore të luftojmë për fitore edhe pse nuk mendoj se do të jetë e lehtë. Po nëse e veprojmë si grup suksesi mendoj se nuk do të mungojë.
Leutrim Ismajlaj, futbollist
Do të angazhohemi të luajmë lojën tonë dhe ta fitojmë sfidën kundër Irlandës Veriore. Pres një lojë kolektive dhe me aksione ku edhe do të kurorëzoheshin me gola e me fitore.
Gent Musa, futbollist
Nga ndeshja në ndeshje ne po përmirësohemi dhe besoj se në ndeshjen kundër Irlandës Veriore do të kemi një paraqitje të mirë dhe shpresoj në një rezultat pozitiv,
Endrit Demolli, futbollist
Besoj se kemi me luajt më mirë se me Danimarkën dhe Republikën e Irlandës, sepse jemi komponuar mirë si ekip dhe do të japim maksimumin që të dalim fitimtar në këtë ndeshje përmbyllëse të këtij turneu që kishte shumë domethënie për neve.