9 nëntor, 2016 – Pas akomodimit në një prej hoteleve më prestigjioze në Antalya “Kremlin Palace”, ku organizatori Kenan Kurtesh ishte përkujdesur që ekspedita e Përfaqësueses së Kosovës, të ketë një pjesë të veçantë duke e ndarë nga pjesa tjetër e vizitorëve, ekipi i Përfaqësueses sot paradite mbajti orë teorike, në të cilën bashkarisht me Shtabin teknik bëri një analizë të ndeshjeve të kaluara si dhe duke analizuar rivalin e ardhshëm, Përfaqësuesen e Turqisë. Më pas përzgjedhësi Albert Bunjaki, vuri në spikamë ndërtimin e ekipit, duke thënë se tash kemi gati 30 për qind të ekipit me futbollistë të rinj që më parë nuk ishin. “Ne gjithsesi do të caktojmë cakun e objektivave tonë. Sikur që kemi thënë se ne do të punojmë për kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018″, por si objektiv real i yni është kualifikimi në Evropianin 2020, ku mundësitë tona janë më të mëdha dhe gjasat për kualifikim janë favorin tonë. Nëse punojmë me përkushtim dhe krijojmë një ekip homogjen rezultatet dhe suksesi nuk do të mungojnë”, ka theksuar Bunjaki.
Përfaqësuesja po sot pasdite do të mbajë seancën e parë stërvitore në orën 16.00.