9 nëntor, 2016 – Sot pasdite Përfaqësuesja e Kosovës mbajti seancën e parë stërvitore e ku për qëllim ishte simulimi i një ndeshje me Turqinë me komponentat që ka rivali, duke u përballur me stilin, mënyrën dhe taktikën e ekipit turk. Po ashtu u ushtrua edhe loja në mbrojtje dhe loja nga ndërprerja dhe në fund edhe stërvitja e gjuajtjeve të lira dhe nga 11-metërshi. Në radhët e ekipit përfaqësues po mbretëron një harmoni, zell e përkushtim për punë që jep shpresa për një rezultat premtues. Sipas ekipit mjekësor të përfaqësueses gjendja shëndetësore e futbollistëve është e mirë. Në këtë stërvitje pati një interesim të jashtëzakonshëm të mediave turke që ishin të pranishme gjatë seancës stërvitore dhe morën shumë deklarata e opinione nga ekipi përfaqësueses.
Stërvitja e radhës është nesër prej orës 16.00, ndërsa paradite do të jetë sërish analizë e lojërave. Pas përfundimit të stërvitjes disa nga futbollistët deklaruan:
Alban Meha
Do të jetë një ndeshje e fortë ngjashëm me Kroacinë dhe Ukrainën. Turqia është një ekip i mirë dhe i fortë. Duhet të përpiqemi që ta mbajmë rezultatin baras. Shpresoj ta ruajmë qetësinë dhe të japim edhe gol.
Herolind Shala
Pres një ndeshje të vështirë. Duhet ta përmirësojmë përformancën nga dy ndeshjet e kaluara, të përmirësojmë gabimet nga ndeshjet e kaluara. Të shënojmë dhe ta bëjmë një lojë të shkëqyeshme.
Mërgim Vojvoda
Së pari për mua është një nder dhe jam shumë i lumtur që do të përfaqësojë shtetin tim Kosovën. Besoj se do të luaj dhe pres që së paku të kthehemi me një pikë.
Vedat Muriqi
Pres një ndeshje interesante. Do të jetë një ndeshje vëllazërore duke marrë për bazë marrëdhëniet e mira që ka Kosova e Turqia. Do të ketë shumë tifozë dhe do të bëhet një atmosferë e mirë e shpresoj në lojë të mirë por pavarësisht rezultatit do të fitojë vëllazëria.