5 janar, 2017 – Përfaqësuesja U-17 e ka përmbyllur sot grumbullimin katër ditor në Durrës. Gjatë katër ditëve është bërë punë tejet intensive nga stafi i trajnerëve me futbollistët, në mënyrë që Përfaqësuesja të jetë sa më e gatshme për turneun “Mercedes Benz Aegean Cup”, që do të mbahet nga 16 janari në qytetin turk Kusadasi. Stërvitja e sotme është mbajtur në kompleksin “Internacional” në Pezë, ku kryesisht është punuar në goditjet standarde dhe në lojën tekniko taktike në sulm dhe mbrojtje. Gjatë ditës së sotme i pranishëm në stërvitjen e Përfaqësueses U-17 ka qenë edhe një ekip televiziv i Supersportit, i cili e ka intervistuar përzgjedhësin, Besnik Kollari. Ekspedita e Përfaqësueses U-17 ka arritur pa ndonjë problem në Prishtinë në orët e mbrëmjes, ndonëse rruga Milot – Prishtinë ka qenë e vështirësuar nga reshjet e mëdha të borës.
Deklaruan pas stërvitjes
Besnik Kollari: Pikësëpari i falënderoj djemtë për punën dhe disiplinën e treguar në këtë grumbullim. Më gëzon fakti që nuk kemi pas lëndime diçka serioze, përpos Florian Hysenajt, i cili e ka pasur një tërheqje të muskulit në kofshën e përparme, i cili ka stërvitur mirëpo jo me intensitetin e plotë. Mendoj se kemi përmbyll një kamp me plotë sukses, duke i falënderuar futbollistëve, stafit të trajnerëve Fadil Berisha, Bahri Berisha, Gazmend Haliti, por edhe stafit tjetër përcjellës. Çdo grumbullim para ndonjë aktiviteti siç është tash rasti me turneun në Turqi është i mirëseardhur. Ne nuk kemi shumë njohuri për kundërshtarët tanë, megjithëse janë emra të njohur të futbollit evropian si Turqia, Rumania dhe Kazakistani, mirëpo turneu në Kusadasi, do të na shërbejë për ta parë vlerën tonë dhe do të jetë një test i mirë edhe për lojtarët. Mendoj se do të jetë shumë vështirë, pasi jemi shtet i posa pranuar në UEFA e FIFA, pastaj dihen kushtet e futbollistëve tanë në Kosovë që nuk i kanë kushtet aspak për punë. Trajnerët e tyre nuk kanë mundësi me stërvit më shumë sepse dihet se punojnë në hapësira të ngushta në terrene të mbuluara. Edhe këtu kemi parë shumë vështirësi tek futbollistët, por kemi punuar mirë dhe jemi munduar që sadokudo t’i minimizojmë ato dobësi të cilat janë evidente në futbollin e Kosovës për shkak të kushteve. Kemi punuar taktikisht, teknikisht e besa edhe fizikisht, pasi asnjë stërvitje nuk ka qenë më e shkurtër se dy orë dhe atë dy herë në ditë. Mendoj se e kemi bërë një punë të mirë, por vlerat tona do të shihen në Turqi. Gjithsesi, kjo nuk është një listë përfundimtare për kualifikimet e Evropianit dhe secili futbollist do të jetë në test në vazhdimësi, pasi me siguri do të ketë ndryshime deri në kualifikimet që mbahen në Hungari. Kemi ende futbollistë që jemi në pritje të përgjigjes së tyre dhe ka lojtarë që nuk i kanë lëshuar klubet. Ne jemi duke e bërë një punë për të ardhmen së bashku me trajnerin Gazmend Haliti, pas në Gjermani kemi bërë një grumbullim me futbollistë që janë të lindur në vitin 2002 dhe në këtë grumbullim i kemi ftuar dy prej tyre dhe besoj që në të ardhmen do të ftojmë edhe tjerë futbollistë të këtij viti të lindjes, në mënyrë që të ndërtojmë një Përfaqësuese të shëndoshë, jo vetëm për grupmoshën U-17, por edhe për atë U-19 e pse jo që t’i shërbejë në të ardhmen edhe U21 dhe Përfaqësueses A. Gjithsesi nuk duhet të fantazojmë apo të jemi shumë ambicioz, por duhet të jemi real dhe të punojmë në mënyrë që ta nxjerrim maksimumin prej këtyre djelmoshave, pasi nuk kemi shkop magjik dhe ta ndryshojmë situatën. Ne jemi duke e bërë punën tonë duke seleksionuar sa më shumë futbollistë dhe besoj se do ta krijojmë grupin më të mirë të mundshëm. Pastaj në bazë të rezultateve që do të arrijmë do të dihet se ku jemi.
Edonis Vuçitërna: Të gjithë lojtarët janë të mirë. Ka shumë talente të mira këtu dhe unë jam i lumtur që luaj për Përfaqësuesen e Kosovës. Edhe pse kemi ardhur nga pjesë të ndryshme kemi arritur shumë shpejt të familjarizohemi dhe kemi komunikuar mirë edhe në stërvitje, por edhe në lojë.
Dorian Osmanallaj: Stërvitjet kanë qenë intensive. Trajnerët janë shumë të mirë dhe miqësor por në stërvitje kanë qenë shumë serioz. Jam i gëzuar që luaj këtu dhe shpresoj të bëjmë ndeshje dhe rezultate të mira në Turqi. Të gjithë jemi si familje. Personalisht kam hasur paksa probleme në komunikim me bashkëlojtarët, pasi nuk e zotëroj gjuhën shqipe, por besoj se këto grumbullime do të më ndihmojnë ta mësoj edhe gjuhën.
Adonis Aliu: Ky grumbullim ka qenë i mirëseardhur për ne, ngase kemi bërë një punë intensive gjatë këtyre katër ditëve. Të gjithë futbollistët kemi dhënë maksimumin në stërvitje dhe kemi krijuar një harmoni të madhe në grup. Besoj se puna që kemi bërë këtu do të shihet edhe në turneun e Turqisë, ku do të shkojmë me entuziazëm për të lënë mbresa të mira.
Leard Sadiku: Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Përfaqësueses U-17. Në këtë grumbullim kemi bërë një punë të jashtëzakonshme dhe për këtë jemi përgëzuar edhe nga trajnerët. Shpresoj që këtë punë dhe përkushtim t’ua kthejmë trajnerëve me paraqitje sa më të mira në turneun e Turqisë.