29 tetor, 2019 – Me festivalin e fëmijëve të grupmoshave të ndryshme deri në 12-vjeç ka përfunduar kursi i nivelit të parë për trajnere në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Norvegjisë. Gjatë katër ditëve sa është mbajtur ky kurs në Onix Banjë, futbollistet e 12 klubeve të Superligës kanë pasur mundësi të fitojnë njohuri si në teori, ashtu edhe në praktikë nga instruktorët norvegjez, Hans Finstad, Onar Nymoen, Irene Lunde dhe Elise Barsnes. Në ditën e fundit të këtij kursi është organizuar festivali me fëmijë, ku pjesëmarrëset e këtij kursi kanë pasur mundësi të punojnë në grupe dhe të njihen me objektivat dhe direktivat e futbollit për fëmijë, si dhe për mënyrën më të mirë të motivimit të fëmijëve për të luajtur futboll të përshtatshëm për moshën e tyre. Ndërkohë, në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave të këtij kursi, përfaqësuesi i Federatës norvegjeze, Hans Finstad është shprehur shumë i kënaqur me punën e bërë dhe përkushtimin e pjesëmarrëseve të këtij kursi. “Ju përgëzoj për punën e bërë, ngase keni pasur një progres shumë të mirë gjatë këtyre katër ditëve në punën tuaj fillestare si trajnere. Në bazë të asaj çfarë kemi bashkëbiseduar mendoj se pritshmëritë tuaja nga ky kurs janë realizuar. Arsyeja që ju keni qenë në këtë kurs është bashkëpunimi ndërmjet Federatës së Futbollit të Norvegjisë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës dhe qëllimi kryesor është që sa më shumë vajza të luajnë futboll në vendin tuaj. Për ta arritur këtë objektiv, ne, duhet të kemi trajner të shkolluar, me theks të veçantë femra të shkolluara si trajnere dhe ju jeni ato vajza që keni dëshmuar se keni dëshirë të madhe për të punuar në futboll dhe për t’i përfshirë vajzat e reja në futboll. Prandaj, si pjesë e këtij kursi është edhe ndihma që ju japim me këto pajisje sportive, të cilat mund t’i përdorni me klubet tuaja, por me rëndësi është që me këto pajisje të punoni me vajzat e reja. Pra, jepni mundësi vajzave të reja të luajnë futboll dhe ftoni sa më shumë vajza t’i bashkohen futbollit”, ka theksuar Hans Finstad. Në fund ai ka falënderuar FFK-në për bashkëpunim shumë të mirë, teksa ka thënë se me kursin e nivelit të dytë do të vazhdojnë në fillim të vitit të ardhshëm. Të rikujtojmë se memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy federatave parasheh zhvillimin e këtij projekti në cikël trevjeçar, ku përfshihet edukimi i femrave si trajnere të futbollit si dhe zhvillimi i futbollit bazik për vajzat nga 7 deri 12-vjeç.