10 gusht, 2018 – Kombëtarja U19 në konkurrencën e femrave e drejtuar nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi, e ka përmbyllur sot grumbullimin katërditor në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Kampionatit evropian, që do të mbahen në muajin tetor në Irlandën e Veriut. Gjatë katër ditëve të këtij grumbullimi vashat e Kombëtares U19 kanë qenë të akomoduara në hotelin “Venus” në Lipjan, derisa kanë shfaqur përkushtim të madh në stërvitjet e mbajtura në fushën me bari sintetik “Top Football” në Mazgit, në mënyrë që të përrgatiten sa më mirë për sfidat e vështira në kuadër të kualifikimeve për Evropian. Ndërkohë, përzgjedhësi Kushtrim Munishi me bashkëpunëtorët e tij, Megzon Visoka e Labinot Qosa, ka pasur rastin që gjatë këtij grumbullimi të shohë nga afër formën e secilës futbolliste dhe më pas do ta ketë më të lehtë të vendosë për futbollistet që do t’i ketë në dispozicion për ndeshjet kualifikuese.