16 nëntor, 2018 – Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes dhe mesfushori Hekuran Kryeziu janë paraqitur sonte në konferencë për media në Valeta në prag të ndeshjes së nesërme kundër Maltës, e cila zhvillohet në orën 18:00 në kuadër të Ligës së Kombeve. Si përzgjedhësi Challandes, ashtu edhe Kryeziu kanë thënë para mediave malteze dhe atyre nga Kosova se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për Kosovën, duke pasur parasysh faktin se qëllimi është që të ruhet pozita e parë në grup, e cila siguron kualifikimin në ‘play-off’ të Ligës D, si dhe ngjitjen në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. “E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi gjasa reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshe të mirë dhe shpresojmë të marrim edhe 3 pikët”, ka theksuar Challandes.
Ai ka theksuar se mentaliteti në Kosovë është i tillë që të gjithë duan lojë sulmuese dhe fitore, por ka thënë se në futboll nuk ka ndeshje të lehtë. “Unë e pranoj që shikuesit në Kosovë mendojnë se ne po luajmë kundër Maltës dhe do të jetë shumë e mundshme të arrijmë fitore, por unë si trajner asnjëherë nuk mendoj në atë formë dhe këtë e kam për detyrë t’ua bëjë të qartë edhe lojtarëve se nuk ka ndeshje të lehtë dhe duhet angazhim i madh për fitore. Malta është skuadër shumë e fortë, sidomos kur luan në shtëpi. Jam befasuar me paraqitjen e Maltës kundër Azerbajxhanit, pasi atje shkuan dhe barazuan vetëm tri ditë pas ndeshjes sonë. Unë e kam parë atë ndeshje dhe për këtë arsye kam respekt kaq të madh për Maltën”, ka nënvizuar Challandes.
Ndërkaq, mesfushori Hekuran Kryeziu ka thënë se të gjithë në ekip janë optimistë për sukses dhe do të mundohen që ta dëshmojnë edhe në fushën e lojës se janë më të mirë se maltezët. “Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi përqendruar maksimalisht. Vetëm pas këtij 90-minutëshi, do të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin. Bashkë me trajnerin, e kemi studiuar me kujdes Maltën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën, me shpresën për të marrë maksimumin”, u shpreh Kryeziu.