10 korrik, 2018 – Pas vizitës në selinë e FFK-së, ministri z. Kujtim Gashi në shoqëri të presidentit të FFK-së, z. Agim Ademi dhe anëtarit të KE të FFK-së, z. Mirsad Çollaku si dhe sekretarit të përgjithshëm, z. Eroll Salihu, kanë inspektuar punimet finale në Stadiumin e Prishtinës, i cili së shpejti emërohet me emrin e legjendës së futbollit kosovar dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.
“Jemi këtu së bashku me presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe stafin e tij për të inspektuar punimet finale në stadiumin e Prishtinës dhe për të parë nga afër punën që është bërë, por edhe për të kërkuar nga operatori që t’i përfundojë punimet në afatin e paraparë në kontratë dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë e mbarë në dy javët që kanë mbetur në përmbylljen e këtij projekti. Çdo ditë e imja e punës, çdo orë ka qenë pjesë e përkushtimit për finalizimin e këtij projekti kapital që është për futbollin në Kosovë. Po e shihni edhe vetë që është bërë një punë e madhe dhe e jashtëzakonshme, që është bërë një prej stadiumeve më të bukura ndoshta edhe në rajon dhe jam shumë i lumtur që kemi ardhur deri te finalizimi i këtij projekti. Ka pasur shumë skeptikë, por ja tani jemi në finalizimin e këtij projekti, pasi kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri te zhvillimi i ndeshjeve në këtë stadium”, ka thënë me këtë rast ministri Gashi.
Tutje ministri i ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët të cilët janë marrë me këtë projekt, Federatën e Futbollit dhe të gjithë inspektorët e UEFA-së.
“Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për sportin e Kosovës për futbollin në veçanti, që më në fund po arrijmë që të dorëzojmë një prej stadiumeve me të bukura në rajon falë investimit të madh rreth 9 milion euro që e ka bërë Ministria e Sportit, që ne e kemi konsideruar që nga dita e parë si një prej projekteve më të mëdha kapitale.”, është shprehur Gashi.
Ndërkaq presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka falënderuar ministrinë e sportit dhe në veçanti ministrin Gashi që realizimin e këtij projekti, të cilin e ka vendosur si prioritet të punës së tij. Të gjitha palët që kanë qenë të përfshira në këtë projekt ne si Federatë i falënderojmë, duke përfshirë edhe Komunën e Prishtinës, të cilët janë pjesëmarrës në këtë projekt dhe janë pronar të këtij stadiumi, e po ashtu edhe operatorin, pasi nuk ka qenë lehtë realizimi i këtij projekti, sepse për herë të parë iu ka dhënë një kompanie kosovare për ta bërë një impiant të tillë. Prishtinës i ka munguar një stadium i tillë dhe është vërtetë kënaqësi që ky projekt po finalizohet, pasi të gjitha institucionet shtetërore kanë punuar me përkushtim. Ky stadium ka qenë kusht për t’i zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare. Tani e kemi shtëpinë tonë dhe jam shumë i bindur se sipas planeve dhe punëve që janë duke u bërë që nga shtatori ne do t’i luajmë ndeshjet e Kombëtares A në këtë stadium”, ka theksuar presidenti Ademi.
Si presidenti Ademi ashtu edhe ministri Gashi u shprehën të bindur se punimet do të përmbyllen në afatin e paraparë dhe më 28 korrik të bëhet testimi me një ndeshje revyale, ku do të jenë të ftuar sportistë, artistë e politikanë dhe më pas do të bëhet edhe inaugurimi i stadiumit.