2 mars, 2022 – Presidenti Agim Ademi ka marrë pjesë sot në punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, e ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Federatës italiane, Gabriele Gravina dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, si dhe përfaqësuesit e UEFA-s e FIFA-s. Duke qenë e ndikuar nga vendimi i një gjykate në Tiranë, e cila kishte vendosur për pezullimin e zgjedhjeve të FSHF-së, asambleja me kërkesë të presidentit aktual Armand Duka vendosi që procesi i zgjedhjeve të mbahet më datën 15 mars, atëherë kur pritet të shfuqizohet vendimi i kësaj gjykate. Presidenti Ademi gjatë fjalimit të tij para pjesëmarrësve të kësaj asambleje deklaroi se ndihet i nderuar që vazhdimisht ka marrë pjesë në punimet e asambleve tëFSHF-së, teksa vlerësoi se është nder për Shqipërinë dhe tërë kombin shqiptar që ka një njeri si Armand Duka, që e përfaqëson në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. “Ndihem i privilegjuar dhe ndihem pjesë e juaja sepse u rrita bashkë edhe e ndjej sikur e ndaj postin me Lutfi Nurin në FSHF, për faktin  se jam gjithmonë pjesëmarrës në këtë Asamble. Por Asamble sikur kjo nuk kanë ndodhur më parë dhe nuk kisha dashur kurrë që të ndodhnin sepse kemi një ndalesë pak politike. Futbolli për mua dhe për të gjithë ne që jemi marrë me futboll është një art, prandaj mos ta pengojnë këtë pjesë që është më e bukur dhe që jep shpresë e emocion. Gjithsecili duhet ta ndihmojë futbollin që të rritet sepse është një vlerë e një kombi dhe një shteti. Në futboll sidomos te ne federatat e vogla, FIFA dhe UEFA janë babë dhe nënë për ne, atëherë edhe kjo pjesa e shtetit duhet që ta ndihmojë futbollin. Nuk është e lehtë ta kesh një njeri në qeverisjen evropiane të futbollit. Për herë të parë ne kemi një shqiptar që është Armand Duka dhe duhet t’i japim përkrahjen. Është nder për një shtet dhe për një komb që të kesh një njeri të tillë ku udhëheqja bëhet nga pjesa qendrore dhe më e lartë e futbollit. Ne e gjejmë veten nga kjo pjesë sepse edhe ne si federatë më e vogël kemi përfituar me edukime e me infrastrukturë. Unë jam i nderuar sepse kam model ku të marr dhe prandaj këtë model besoj që duhet të na përkrahin të gjithë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit”, theksoi presidenti Ademi. Gjatë ditës së sotme janë miratuar pasqyrat financiare dhe raporti i aktiviteteve të vitit 2021, si dhe është miratuar buxheti i FSHF-së për vitin 2022, teksa me shumicë votash u vendos që Asambleja t’i vazhdojë punimet me datë 15, në orën 10:00, për zgjedhjen e presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.