26 prill, 2023 – Presidenti Agim Ademi bashkë me sekretarin e përgjithshëm Taulant Hodaj, kanë pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ambasadori u interesua për situatën në futbollin kosovar me theks të veçantë për licencimin e FFK-së nga MKRS, çështje të cilën e konsideroj si hap të rëndësishëm që Kosova të vazhdojë progresin dhe konkurrencën e saj në arenën ndërkombëtare.

Ambasadori Abbott tha se Federata duhet të mbetet e pavarur nga politika dhe të plotësojë të gjitha kriteret për të marrë licencën, derisa presidentit Ademi i ofroi mbështetjen e plotë në këtë drejtim.

Në anën tjetër presidenti Ademi e falënderoi ambasadorin Abbott për vizitën dhe interesimin e tij në çështjet e FFK-së e po ashtu edhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm, derisa i ofroi gatishmërinë për të realizuar bashkë çdo projekt i cili ndihmon në masivizimin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë.

Duke qenë se ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë mbështet dhe është tifoz i kombëtares së Kosovës, I pari i FFK-së i dhuroi fanelën e re në shenjë respekti.