4 shtator, 2021 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit Bakir Burri dhe u.d. Sekretarit të përgjithshëm, Taulant Hodaj, ka shtruar sonte darkë për delegacionin e Federatës së Futbollit të Greqisë, në prag të ndeshjes së nesërme për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”, Kosovë – Greqi. Gjatë kësaj darke, krerët e të dyja federatave në atmosferë tejet miqësore biseduan për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet, si dhe për menaxhimin e futbollit gjatë pandemisë. Të dyja palët u shprehën të gatshme për ta thelluar edhe më tutje bashkëpunimin në projekte të ndryshme e që kanë për qëllim avancimin e futbollit, teksa uruan njëra-tjetrën për lojë korrekte në ndeshjen e nesërme. Delegacioni grek e falënderoi presidentin Ademi për mikpritjen e ngrohtë dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar në sfera të ndryshme që janë në interes të të dyja federatave. Në fund sipas traditës u shkëmbyen edhe dhuratat ndërmjet delegacioneve të dyja federatave.