Presidenti Agim Ademi e ka përgëzuar FC Drita për kualifikimin historik në rrethin e tretë të Ligës së Evropës, pasi sonte në Shkup e mposhti Sileksin, me rezultat 2:0. Në një mesazh në profilin e tij në Facebook, presidenti Ademi i ka uruar futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe tifozët e FC Drita për fitoren e arritur, teksa këtë sukses e ka vlerësuar si dëshmi të rritjes së futbollit tonë.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

Një mbrëmje e spektakulare e Dritës në Ligën e Evropës. Kampioni ynë shndriti në stadiumin ‘Tose Proeski Arena’, duke e mposhtur skuadrën e Sileksit, 2:0.

Golat e Fidan Gërbeshit e Ardian Limanit i dhuruan sonte emocione jo vetëm “Intelektualëve” por edhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovë e kudo që jetojnë shqiptarët dhe kësisoj vulosën suksesin më të madh deri më tash të klubit gjilanas, por edhe në tërësi të futbollit kosovar në garat evropiane.

Loja e futbollistëve të Dritës dhe kalimi në rrethin e tretë të kësaj gare dëshmon se po ecim në rrugën e duhur të ngritjes së futbollit të Kosovës në të gjitha nivelet.

Besoj thellësisht se në këtë stadium do të festojmë edhe muajin e ardhshëm me Kombëtaren në gjysmëfinale të “play-off”-it dhe do t’i afrohemi kualifikimit në Evropian!

Edhe një herë urime futbollistëve, stafit teknik e drejtuesve të Dritës si dhe tifozëve “Intelektualët” për këtë sukses.

Faleminderit për emocionet që na dhuruat në këtë mbrëmje!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së