29 maj, 2021 – Gjatë qëndrimit në Porto me ftesë të UEFA-s, ku sonte zhvillohet finalja e Championsit, Manchester City – Chelsea, presidenti Agim Ademi është takuar edhe me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin. Në këtë takim kreu i FFK-së dhe ai i UEFA-s kanë biseduar për situatën me pandeminë Covid-19 dhe për ndikimin e saj të përgjithshëm në futboll, me theks të veçantë në Kosovë. Me këtë rast presidenti i UEFA-s e përgëzoi presidentin Ademi për punën dhe menaxhimin e mirë të kësaj periudhe të vështirë gjatë pandemisë, teksa shprehu shpresën se dalëngadalë jeta kudo në Evropë do t’i kthehet normalitetit dhe kësisoj edhe stadiumet do të jenë sërish të mbushura me tifozë. Ndërkaq, presidenti Ademi e ka falënderuar presidentin Çeferin për mbështetjen e vazhdueshme që ai personalisht dhe UEFA i japin Kosovës dhe të gjitha projekteve të FFK-së.