25 qershor, 2021 – Presidenti Agim Ademi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka uruar FC Prishtinën për kalimin e raundit parakualifikues në Ligën e Kampionëve. Bardhekaltrit fillimisht në gjysmëfinale e mundën kampionin e San Marinos, Folgore, derisa sonte në mbrëmje e kaluan me sukses edhe duelin final kundër kampionit të Andorrës, Inter d’Escaldes.
Më poshtë urimi i plotë i presidentit Ademi:
Përgëzime FC Prishtinës, futbollistëve, trajnerëve, stafit drejtues dhe tifozëve ‘Plisat’ për suksesin e arritur në rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve.
Paraqitja e mirë dhe përkushtimi i treguar si në ndeshjen gjysmëfinale ndaj skuadrës Folgore po ashtu edhe në atë finale ndaj skuadrës Inter d’Escaldes, dëshmojnë se kalimi i këtij rrethi parakualifikues ishte i merituar.
Uroj që FC Prishtina të na përfaqësojë denjësisht edhe në raundin e parë kualifikues kundër skuadrës së njohur hungareze, Ferencvarosh dhe të shkojë sa më larg në garën më prestigjioze të futbollit evropian.
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së